Veleçiku ka arritur një fitore në shifrat 0-2 këtë javë përballë Ilirisë. Koplikasit morën një rezultat shumë pozitiv, teksa kjo është fitorja e shtatë rradhazi, që nga starti i fazës së dytë, në garën për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Një nga protagonistët e ekipit të drejtuar nga Haris Lika, ishte edhe Elvis Rrustemaj. Me golin e tij, ai u bë pjesë e fitores së Veleçikut. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, mbrojtësi i krahut flet për golat e shënuar, por edhe objektivat e skuadrës.

“Po, normalisht që jam i kënaqur për golin, por më shumë për tre pikët e marra. Po, ky është goli i shtatë për mua. Në fakt, këtë sezon, po luaj si lojtar krahu dhe me ardhjen e profesor Likës, e kam gjetur veten shumë mirë në mesfushë.

Të shohim, kam bindjen që po, do e arrijmë objektivin që ka skuadra jonë. Megjithatë, të shohim edhe katër ndeshje kanë mbetur. Ne do japim maksimumin çdo ndeshje, pastaj ia lëmë kohës.

Këto dy javë pushim, do na shërbejnë për mirë, sepse edhe neve, do na rikthehen disa lojtarë të rëndësishëm, që i kishim të dëmtuar”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Veleçikut, Elvis Rrustemaj.
Maringlen ZHIVANI