Në ndeshjen e djeshme ndaj Vllaznia U21, sulmuesi i Bylis, Joald Ivziku jo vetëm që shënoi, por edhe festoi ndaj ish-skuadrës së tij të para disa ditëve.

Sulmuesi shkodran duket se është ndjerë keq nga ngacmimet e ish-shokëve të skuadrës së tij dhe për atë mënyrë të festuari, ai në një intervistë për “Shkodra Sport”, kërkon ndjesë shokëve të ish-ekipit, por sqaron edhe arsyen që ka patur për të vepruar ashtu.

Gjatë prononcimit, ai ka shpjeguar gjithçka rreth situatës së ndodhur, duke kërkuar që shkodranët ta mirëkuptojnë për këtë sjellje të tij.

“Luajta dje kundër ekipit të qytetit ku unë u rrita. Emocion i papërshkrueshëm për mua. Festimi i golit nuk ishte i menduar, pasi llogjikisht nuk duhet te festoja, por disa ngacmime në lojë nga ish-shokët e ekipit më bënë të dal nga vetja në festimin e golit.

Deri para daljes në nxehje, nuk kam pasur ngacmime nga ish-shokët e skuadrës. Jam përqafuar dhe kemi bërë lojëra me njëri-tjetrin, por me fillimin e lojës ndodhi çfarë ndodhi.

Të them të drejtën nuk do të jap emra se ngjan keq dhe nuk më pëlqen që kjo gjë të bëhet kaq e madhe. Kam folur me personat në fjalë dhe kanë qenë disa keqkuptime brenda lojës. E rëndësishme ështe që e kemi kuptuar edhe unë dhe ata për ofendimet e tyre dhe për festimin e golit tim, që mendoj se nuk duhet të kishin ndodhur”-shprehet ai.

Ndër të tjera, sulmuesi shkodran, Ivziku, kërkon falje për atë që ndodhi, teksa i uron suksese në vazhdim ekipit të U21 dhe ish-shokëve të tij.

“Kërkoj falje, sepse në fund të fundit jam shkodran dhe u kërkoj falje të gjithë atyre që më kanë mbështetur, si tifozë, si familjarët, si shoqëria poashtu dhe nuk duhet të kisha festuar në atë mënyrë pavarësisht provokimeve. Besoj që kjo histori është mbyllur dhe nuk dua ta prek më gjatë.

Ekipit të Vllaznisë i uroj veç suksese. Respekt maksimal për trajnerët që janë aty dhe disa prej ish-shokëve të ekipit. Nuk kam çfarë them më gjatë në lidhje me këtë situatë”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Bylis U21, Joald Ivziku.
Maringlen ZHIVANI