Tek Vllaznia U19 një ndër lojtarët që po spikat edhe këtë sezon është Paulo Pjeshka. Mesfushori, i cili luan në të gjitha pozicionet e mesfushës dhe spikat me atë çfarë tregon në fushën e lojës, ka arritur edhe sot në ndeshjen ndaj Lushnjës të shënojë dy gola, duke u kthyer kështu në një lojtar tepër të rëndësishëm për ekipin e U19.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, Pjeshka ndjehet mjaft i lumtur që po ndihmon skuadrën me golat e tij, teksa ka folur edhe rreth synimeve aktuale me Vllazninë U19 që ai ka.

“Normalisht, që ndihem mirë edhe sidomos kur e ndihmoj ekipin me golat e mi, për të arritur me marrë 3-pikëshin, që ka rëndësi pavarësisht kundërshtarit. Personalisht, ndihem mirë por pres prapë më shumë nga vetja ime. Besoj se mund të kisha shënuar më shumë, por besoj se në ndeshjet në vazhdim do e arrij.

Normalisht, që më e vështira është ta mbash vendin e parë, sepse çdo ekip mundohet të japë maksimumin, por në ekip kemi shumë harmoni me njëri-tjetrin dhe kemi shumë besim që do arrijmë objektivat”,-shprehet ai.

Ndër të tjera, Pjeshka flet edhe për synimet e tij që ka në të ardhmen, teksa ka edhe një dedikim për golat e shënuar në ndeshjen e sotme ndaj Lushnjës.

“Normal që, e ardhmja është ekipi i parë për çdo lojtar nga Akademia, plus që edhe aty jam duke u stërvitur rregullist dhe më ka ndihmuar në çdo aspekt stërvitja me ekipin e parë. Për sa i përket golave, nuk kam ndonjë shifër, por besoj se do jetë një numër i kënaqshëm deri në fund të sezonit.

Golat janë dedikim gjithmonë për familjen, që është mbështetja më e madhe e imja”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Vllaznia U19, Paulo Pjeshka.
Maringlen ZHIVANI