Kristian Rroku, portieri me origjinë nga Shkodra do jetë pjesë e Tomorit në sezonin e ri. I lindur në Greqi dhe zhvilluar tek akademia e Olimpiakos, gardiani po provon aventurat si profesionist në atdhe.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai shprehet i gatshëm për të dhënë më të mirën për beratasit. Tashmë në moshën 20-vjeçare ai kërkon të jetë protagonist me skuadrën ku do aktivizohet.

Rroku tha: “Do jem pjesë e Tomorit në sezonin e ri dhe nga ajo çfarë më kanë thënë dhe kam mësuar është një ekip i njohur në Shqipëri. Kjo do jetë hera ime e dytë me një ekip shqiptar. U aktivizova sezonin e shkuar gjysmë sezoni me Turbinën. Eksperiencë që më ka ndihmuar të përshtatem me futbollin këtu dhe mentalitetin.

Unë dua çdo ndeshje të jap më të mirën, për skuadrën në fillim e më pas për veten. Mendoj se kjo lëvizje do më ndihmojë shumë edhe për të ardhmen. Tashmë po stërvitem çdo ditë me skuadrën që të përshtatem sa më mirë e të jem i gatshëm për sezonin e ri”.
Endri ÇINARI