Ishte si një rrufe në qiell të hapur largimi i para dy ditëve i Bruno Telushit nga Partizani. Vlonjati dhe klubi i kuq ndërprenë marrëdhënien mes tyre në një kohë kur skuadra po luan në turet e Champions League dhe është fituesja s kampionatit të fundit. Por pakënaqësitë mes 32-vjeçarit dhe stafit të ri teknik duket se kanë sjellë këtë vendim.

E në këtë mënyrë ish-futbollisti edhe i Flamurtarit mund të jetë një objektiv i lakmueshëm në merkato për shumë skuadra të Superiores. Një prej tyre mund të jetë edhe Vllaznia, ku nga informacionet si pranë klubit edhe po ashtu pranë lojtarit ka një lloj interesimi. Pavarësisht se në mesfushë kuqeblutë mund të cilësohen tashmë krejtësisht të kompletuar.

Kjo duke pritur edhe afrimin e Ardit Krymit, ku për të cilin pritet vetëm zyrtarizimi. Në atë pozicione në mesfushë janë edhe Boshnjaku, Alivoda apo edhe Sala. Megjithatë Telushi në sezonin e fundit është aktivizuar si qendër mbrojtës, duke zhvilluar paraqitje të një niveli shumë të kënaqshëm, kjo edhe falë eksperiencës dhe cilësive që zotëron.

Për repartin e prapavijës ai mund të jetë një vlerë e shtuar për sezonin e ri në Superiore. Kujtojmë që mesfushori potent ishte pranë Vllaznisë edhe para dy sezonesh, por marrëveshja nuk u arrit vetëm në minutat e fundit.

Tashmë ndoshta kjo mund të jetë rradha kur ai ti bashkohet shkodranëve për herë të parë në karrierën e tij. Përveç Partizanit dhe Flamurtarit, Telushi në vendin tonë ka luajtur edhe me Egnatian dhe Kukësin ndërsa ka provuar edhe aventurat jashtë me Neftci Baku dhe Slaven Belupo.
Endri ÇINARI