Kampionatet kombëtare të basketbollit kanë hyrë në fazën më interesante, atë të finaleve si për femra ashtu edhe për meshkuj.

Ajo që ka rënë në sy para finaleve Tirana- Flamurtari dhe Tirana- Teuta, kanë qenë polemikat e mëdha në lidhje me arbitrat.

Ekipe të ndryshme kanë patur pretendime dhe kundërshtime për arbitra të caktuar dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Federatës të hedhin short për ta.

Në këtë short janë përshirë arbitrat e FIBA-s por edhe të tjerë që nuk e mbajnë këtë stemë. Mes tyre ka qenë edhe një shkodran.

Bëhet fjalë për Hans Trajer. Ai ka qenë mbrëmë një nga tre arbitrat e finales së dytë të femrave, asaj Tirana- Flamurtari por jo vetëm kaq. Trajer do të jetë edhe të dielën sërish pjesë e treshes së arbitrave në finalen e tretë të meshkujve, atë Tirana- Teuta.

Performanca e shkodranit në finalen e mbrëmshme ka qenë shumë e mirë dhe me siguri që e tillë do të jetë edhe të dielën.

Ky është treguesi më i mirë që Hans Trajer nuk është vlerësuar ndoshta jo aq sa duhet nga Federata.

Paraqitja e tij në ndeshjet finale padyshim që do të jetë një bonus për karrierën e tij të mëtejshme.
© shkodrasport.com