Atletik Club është një nga akademitë e moshave në Shkodër, që ia ka dalë me sukses në kampionate të ndryshme. Trofetë e tyre flasin vetë, pasi kanë fituar shumë me moshat dhe në gjirin e tyre kanë futbollistë dhe lojtare në ekipin e vajzave, që premtojnë shumë për të ardhmen.

Elton Bungaja, presidenti i ekipeve të Atletik Club, në një prononcim për “Shkodra Sport”, tregoi strategjinë e klubit për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që të bëhet i mundur masivizimi dhe të rritet pjesëmarrja, qoftë e fëmijëve në grupmoshat e ndryshme, qoftë e vajzave në sportin e futbollit.

Dy vite më parë, Bungaja u largua nga detyra e trajnerit të ekipit të Atletik Club për të emigruar drejt Amerikës, në një kohë që tashmë klubi po administrohet nga ana e tij. Falë pasionit dhe dëshirës së tij, Bungaja ka vendosur pa u menduar për të ndihmuar ekipet financiarisht dhe për të qenë edhe president i Atletik Club.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai u shpreh se te ekipi i vajzave janë në pritje të afrimeve të sportisteve cilësore, ndërsa theksoi se një gjë e tillë do ta bënte këtë ekip më kërkues në sezonin e ri. Sigurisht në fund, Elton Bungaja e mbyll edhe me një mesazh për sezonin e ri, për të gjithë djemtë dhe vajzat e Atletik Club Shkodra, që të merren me sport dhe të mos ndalen në asnjë moment.Për më tepër, lexoni intervistën e tij të mëposhtme, dhënë gazetarit të “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.

“Për sa i përket ekipeve të moshave, jemi akoma në pritje. Kemi edhe finalet për të luajtur me grupmoshat U-13 dhe U-15, të cilat në qoftë se fitojnë, do jenë në Superiore dhe ky për ne është një sukses, i cili vlen të përmendet dhe të përgëzohet stafi për punën e mirë. Shpresoj të jemi me të dy skuadrat në Superiore dhe të rrisim kualitetin e sportistëve akoma më shumë.

Ndërkohë, tek ekipi i femrave po presim të afrojmë sportiste të reja dhe gjithashtu të zgjerojmë rrethin e vajzave, që kanë dëshirë të luajnë futboll. Kjo do përmirësonte skuadrën dhe do na bëjë të jemi më kërkues për sezonin e ri.

Pjesa e financimit nga Amerika? Besoj në aspektin financiar është shumë më e lehtë të japësh kontributin nga këtu. Ajo që nuk është e lehtë, është fakti që ka dy vite që nuk jam afër dhe kjo më mungon shumë. Momentalisht, unë dhe stafi jemi mbështetja financiare e klubit. Me kohën, shpresojmë të afrojmë miqtë tanë, të na ndihmojnë dhe të ofrojmë akoma më shumë mundësi për akademinë.

Për mua, është e njëjta gjë, si në kohën që isha trajner dhe sot që e menaxhoj nga larg, pasi edhe si trajner kam kontribuar shumë, si në aspektin financiar dhe atë si trajner.

Objektiv trofetë apo tentativa për të nxjerrë në pah më të mirën? Të falënderoj që më bërë këtë pyetje. Ky është një diskutim me mjaft vlerë për të gjithë ata, që duan të dinë objektivat tanë dhe ideologjinë e klubit. Ne nuk jemi dhe nuk kemi qenë kurrë të fokusuar në kupa dhe medalje. I gjithë stafi përkushtohet të ndërtojë grupin në shërbim të fëmijëve, që gjithsecili fëmijë, të jetë i lumtur me futbollin, me shokët dhe me trajnerët. Kur të gjitha këto funksionojnë mirë, atëherë çdo fëmijë do ketë dëshirë të punojë dhe të rrisë nivelin e tij, duke punuar fort.

Unë mendoj dhe jam i bindur që jemi klubi i vetëm që ndërtojmë skuadra të suksesshme dhe individë që arrijnë të bëjnë diferencën përballë çdo kundërshtari në fushë. Kur ne jemi në gjendje ta mbajmë këtë ritëm, suksesi dhe kupat do vijnë vetë. Ne i themi gjitmonë fëmijëve që kupa ka vlerë sa për një foto të bukur në fund të sezonit. Ajo që vërtetë ka vlerë, është një vit punë dhe sakrificë në çdo aspekt të mundshëm.

Mesazhi për ekipet e Atletik në sezonin e ri? Ajo që dua t’iu them djemve dhe vajzave të Atletik Club, është që ne si klub, jemi në dispozicionin tuaj, që ju mos t’iu mungojë asgjë për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat tuaja. Puna tek ne nuk ka pushim asnjëherë, sepse edhe verës vazhdon stërvitja me ritme më të ulëta dhe me argëtim më shumë. Suksese të gjithëve dhe ju uroj një sezon me plot arritje”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, presidenti i Atletik Club Shkodra, Elton Bungaja.
Maringlen ZHIVANI