Nga Endri ÇINARI

Ardit Hoxhaj ishte autori i golit të tretë për Basanian në fitoren 3-2 ndaj Luzit. Në prononcimin pas këtij suksesi për “Shkodra Sport”, shtalarti shprehet i kënaqur për këtë 3 pikësh që duket se “çliron” skuadrën. Ku ndër të tjera mbrojtësi thekson se Basania ka mundësi për më tepër në ndeshjet e rradhës. Teksa shpreson që golat e tij ta ndihmojnë gjithmonë ekipin për arritjen e fitoreve.

Hoxhaj u shpreh duke thënë: “Ishte një ndeshje shumë e fortë kjo ndaj Luzit, skuadra e nisi shumë mirë me gol që në minutat e para, ku ndoshta edhe mund të kishim dyfishuar.

Patëm disa momente jo të mira më pas duke pësuar gol, por reaguam shkëlqyeshëm në fund të pjesës së parë duke shënuar dy herë. Besoj se ato gola na dhanë moral tjetër në pjesën e dytë, ku gjithçka ishte e hapur deri në fund sepse Luzi shënoi për shifrat 3-2.

Gjithsesi besoj se treguam cilësi dhe u shpërblyem në fund me 3 pikët. Që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, ku them se kjo skuadër ka ende mundësi për më tepër. Pasi kemi futbollistë me kualitet dhe duhet të eleminojmë disa gabime. Nuk duhet të kemi eufori për këtë fitore pavarësisht se gëzimi është i kuptueshëm pas një fitoreje.

Goli? Jam i lumtur që shënova dhe ndihmova ekipin për të marrë pikët. Uroj që të shënoj sërish për të marrë fitore të tjera në të ardhmen”.