Bylis arriti një fitore në shifrat impresionuese 0-3 në miqësoren e djeshme kundër Partizanit. Ballshiotët treguan se janë gati për edicionin e ri dhe se do jenë një skuadër për tu marrë në konsideratë.

Një nga më të mirët në fushën e lojës ishte edhe Marcelino Preka. Mbrojtësi shkodran spikati me performancën e tij dhe për “Shkodra Sport”, ai flet për prag sezonin e Superligës dhe ekipin e tij të Bylis.

Preka tha: “Ishte një fitore që na jep një moral dhe besim për startin e edicionit të ri. Fituam kundër një prej ekipeve më të forta të kampionatit dhe kjo na motivon. Ne tashmë jemi në dy javët e fundit të përgatitjeve, ku po bëhemi gati për fillimin e Superligës. Ku besoj se do jetë një kampionat shumë i fortë.

Personalisht di të them se po arrij formën time më të mirë. Dua që ky të jetë sezoni im. Jam në moshën 19-vjeçare dhe jam prej 3 sezonesh pjesë e Bylis dhe futbollit profesionist. Shpresoj që të bëj një sezon sa më pozitiv. Për objektivat e ekipit dhe për aspektin personal timin”.

Endri Çinari