Java e 20-të e Superiores do hapet ditën e sotme, por për Vllazninë dueli është rezervuar nesër. Kjo pasi kuqeblutë do kenë përballë Kukësin në duelin shtëpiak që zhvillohet në “Loro Boriçi”. Shkodranët vijnë pas dy humbjeve në kampionat kundër Bylis dhe Erzenit, e me patjetër do kërkojnë reagimin para tifozerisë së tyre.

Por ndaj verilindorëve nuk do jetë aspak e lehtë, kjo për faktin se ekipi tashmë i drejtuar nga Hallaçi po kalon një formë të mirë.

Megjithatë statistikat tregojnë se Kukësi ka thuajse 3 vite pa fitore në Shkodër. Suksesi i fundit i ekipit blu ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” daton më 29.11.2020. Ndeshje që i përket sezonit 2020-21 dhe javës së 5-të të atij edicioni.

Kukësi në atë takim fitonte në shifrat 2-4 në “Loro Boriçi”. Protagonistë me gola do ishin Ibraimi që shënonte dy herë, Friday dhe Limaj për kuksianët. E ndërsa për Vllazninë shënonin Dunga dhe Hoxhaj.

Që nga ajo ndeshje Kukësi nuk ka fituar më në Shkodër, duke marrë barazim 0-0 në po atë sezon në shtëpinë kuqeblu. E ndërsa në sezonin 2021-22, Vllaznia barazonte 1-1 kundër Kukësit dhe fitonte 2-1 në ndeshjet në Shkodër.

E në këtë sezon, po ashtu ka një sukses të Vllaznisë në shifrat 2-1 kundër Kukësit, ku vendosën golat e Heriç dhe Markut. Patjetër që mendja nesër nuk është tek statistikat dhe e shkuara. Por për të arritur fitoren dhe pikët e plota në mënyrë që Vllaznia të afrohet sa më shumë me kreun e renditjes që aktualisht mbahet nga Tirana.
Endri ÇINARI