Me rikthimin në krye të pankinës së Eg natias, duket se për trajnerin e Egnatias, Edlir Tetova, gjërat po ecin diçka më mirë se në periudhën e parë kur drejtoi skuadrën gjatë periudhës verë-vjeshtë 2022. Përtej ndryshimeve më të fundit të bëra gjatë muajit të kaluar të merkatos dimërore (pati shumë largime dhe afrime), afro 75 për qind e skuadrës, është ajo që Tetova e ka ndërtuar vetë.

Kjo mund të lehtësojë sado pak barrën e përgjegjësive pasi lojtarët janë profesionistë dhe disa prej tyre madje me një përvojë të konsiderueshme. Të tillë madje, që mund t’ia bëjnë të vështirë edhe Tiranës kryesuese triumfin në Rrogozhinë. Me dëshirën për të arritur fitoren e parë në historinë e përballjeve ndaj kryeqytetasve, tekniku Tetova iu dha këto përgjigje pyetjeve të drejtuara mesditën e djeshme nga “Panorama Sport”…

Barazimi me Partizanin dhe kualifikimi në Kupë ndaj Skënderbeut sa kanë ndikuar tek Egnatia që ta këtë “top” anën psikologjike?

Vijmë pas një goli të shënuar në limit ndaj Partizanit në kampionat, por them se pika e fituar ishte me vlerë. Ndërsa për kualifikimin në Kupë me Skënderbeun, sigurisht që ishte një bonus i mirë për anën psikologjike nga çdo aspekt.

Përballë keni sot Tiranën kryesuese. Cilat janë masat e marra për të kapërcyer si duhet këtë sfidë të vështirë?

Pas disa ndeshjesh ku na mungon fitorja do të marrim të gjitha masat për të bërë maksimumin në këtë ndeshje. Siç po e shohim të gjithë, kampionati ynë po bëhet i pakuptueshëm ku një pikë e humbur të çon poshtë dhe me një fitore ndihesh favorit. Do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona përballë Tiranës.


A ka ndonjë problem me formacionin, dëmtime, skualifikime apo ndonjë mëdyshje për skemën që do të përdorni?

Nuk kemi dëmtime. Kontingjenti është i plotë. Përveç Hysen Memollës që po punon veçmas grupit për të fituar formën dhe letonezit Emsis që dita-ditës po jepnin sinjale pozitive. Të tjerët janë të gjithë të gatshëm.


Çfarë prisni më tepër nga efektet e lëvizjeve të bëra gjatë merkatos së muajit janar 2023?

Po është e vërtetë që kemi pasur goxha lojtarë të larguar e të afruar. Megjithatë, në këtë situatë po bëjmë gjithçka për harmonizimin sa më mirë të skuadrës.

Historia e statistikat tregojnë se Egnatias me Tiranën nuk i ecën dhe aq. Ka vetëm një barazim në 10 ndeshjet e derisotme. Sa mund të ndikojë kjo më atmosferën e motivimit më të madh tek Egnatia?

Statistikat flasin për Tiranën, por ne do të bëjmë maksimumin për të arritur objektivat tanë.


Përballë do të keni në pankinën e Tiranës një shok e mik të vjetër si durrsaku Orges Shehi. Çfarë do t’i thoni paraprakisht në prag të kësaj sfide?

Me Orgesin kemi punuar bashkë dhe kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Po këtë radhë për 90 minuta ne do të jemi kundërshtarë. Ajo që mund të them?!… Fitoftë skuadra që do të gabojë më pak. Dhe kjo shpresoj të jemi ne.


Edhe për tifozët rrogozhinas besoj se keni ndonjë apel?

Na duhet shumë mbështetja e përkrahja e tyre. Nxitja e motivimi që vjen nga shkallët e tribunave, do të bëjë që këta djem të bëjnë shumë më mirë në fushë e të shkojnë sa më larg.