Pasi fitoi edhe çmimin The Best FIFA, i cili i shtohet Topit të Artë të tij të tetë dhe vërteton se në moshën 36 vjeçare Leo Messi është ende në krye, kampioni argjentinas ka rifilluar përgatitjet e tij me Inter Miami në prag të një sezoni në MLS, që pas ardhjes së mikut të tij të madh Luis Suarez, e sheh klubin e Beckhamit ndër favoritët për të fituar titullin.

Padyshim që askush nuk i drejtohet me emrin e tij të plotë, Lionel, dhe shumë pak e dinë pse quhet kështu: emri i parë i Messi-t është në nder të këngëtarit Lionel Richie.

Më 24 qershor 2010, kampioni argjentinas festoi ditëlindjen e tij të 23-të ndërsa luante Kupën e Botës në Afrikën e Jugut me Selección dhe me atë rast nëna e Messit, Celia Maria Cuccittini, ishte e ftuar në një program televiziv.

Gjatë intervistës gruaja tregoi detajet e ditës së lindjes së ish-lojtarit të Barcelonas dhe PSG-së dhe zbuloi edhe pse djali i saj quhet Lionel.

Gruaja pranoi se në realitet kishte zgjedhur një emër tjetër, paksa të ndryshëm: “Më ka pëlqyer gjithmonë Leonel”. Megjithatë, me rastin e regjistrimit të djalit të saj në gjendjen civile, ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj Jorge për këtë çështje.

Prandaj, bashkëshorti i saj përfundoi duke e quajtur kampionin e ardhshëm Lionel për nder të këngëtarit të famshëm amerikan Lionel Richie, të cilin ata të dy e pëlqyen shumë. Kjo e zemëroi shumë edhe Celian: “Kur erdhi Jorge për ta shkruar, për pak sa nuk e vrava”.

Pak kohë më vonë, historia arriti në veshët e autorit të këngëve të mëdha si “All Night Long”, “Hello” dhe “Say you, Say me”, si dhe “We are the World” shumë e famshme (shkruar me Michael Jackson), por Richie nuk e besoi historinë.

Në vitin 2016, kantautori, tashmë 74 vjeç, zbuloi se fillimisht kishte dyshuar në vërtetësinë e historisë, derisa e lexoi në media:

“Ishim në Europë dhe doli një artikull që thoshte se nëna e Messit konfirmoi se e kishin vënë emrin Lionel për shkakun tim. Unë mbeta pa fjalë dhe thashë: pra është e vërtetë!”./telesport/