5 prill 2009 është hera e fundit që Partizani dhe Dinamo u ndeshën në elitën e futbollit shqiptar, takim i fituar nga blutë 2-1. Askush nuk e kishte menduar që pas vërshëllimës së gjyqtarit Edvin Hoxha në këtë takim të 2009-ës do të kalonin 4561 ditë që të kthehej sërish ky derbi në elitë.

Dinamo-Partizani hap siparin e javës së katërt të edicionit të 83-të të Kategorisë Superiore. Përballja e 136-të mes dy ekipeve do të jetë e veçantë, ndonëse është derbi i kryeqytetit do të luhet sot në “Elbasan Arena”, në orën 19:45. Ky derbi vjen pas një mungese gati 9-vjeçare, ku për herë të fundit janë ndeshur më 16 mars 2013 në Kategorinë e Parë. Ky takim është me “spec” për vetë ecurinë e skuadrave në këtë fillim kampionati.

Derbi luhet në fushë, por luhet edhe në stola. Trajnerët kanë një rol shumë të rëndësishëm për mënyrën si e përgatisin ndeshjen, si i motivojnë lojtarët, mënyrën si i përgjigjen kundërshtarit apo si reagojnë në momente të caktuara të ndeshjes me lëvizjet nga stoli.

Derbi Dinamo-Partizani është edhe një sfidë mes dy trajnerëve Ilir Daja dhe Bledi Shkëmbi, që u përkasin gjeneratave të ndryshme të trajningut, por që duket se kanë të njëjtin koncept për lojën.

Për sa i përket formacioneve zyrtare, ai që ka surprizuar është trajneri Ilir Daja, që ka ndryshuar skemën nga 4-3-3 në 3-5-2. Nga minuta e parë është aktivizuar Sota, i cili formon treshen e mbrojtjes me Shehin dhe Belicën. Në stol janë ulur Herald Marku dhe Filipoviç që pritej ta nisnin titullarë.

FORMACIONET ZYRTARE:

DINAMO: Harizaj, Imami, Sofranac, Siljanovski, Isaevski, Demiri, Samake, Sidibe, Ibraimi, Mihana, Çinedu. Trajner: Bledi Shkëmbi. (Në dispozicion: Simoni, Ed.Bakaj, Gavazaj, Skuka, Bardhi, Haxhiu, Abazaj, Daija, Maliqi, Berberi)

PARTIZANI: Hoxha, Belica, Sota, Shehi, A.Marku, Musta, Rrapaj, Kaçe, Mala, Cara, Stenio Zhunior. Trajner: Ilir Daja. (Në dispozicion: Teqja, H.Marku, Kardozo, Filipoviç, Abubakar, Gueje, Damçevski, Murataj, Gligorov, Kote)

GJYQTARË: K.Cjapi, I.Tartaraj, O.Grabova (Fier)

VAR: Florjan Lata (Durrës), AVAR: Rejdi Avdo (Tiranë)