Monday, March 23, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPushimi i kampionatit, në momentin e duhur për Vllazninë

Pushimi i kampionatit, në momentin e duhur për Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po kalon një moment delikat në kampionat, teksa skuadra shkodrane nuk arrin të fitojë prej tre ndeshjesh radhazi, duke humbur terren në garën për kreun. Rezultatet e fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditje, ku kuqeblutë nuk janë më të vetëm në krye, por tashmë e ndajnë atë me Elbasanin, të dyja skuadrat në kuotën e 53 pikëve.

Ky ngadalësim i ritmit ka ardhur në një moment kyç të sezonit, aty ku çdo pikë ka peshë të madhe në luftën për titull. Vllaznia, që për javë me radhë kishte krijuar një diferencë të lehtë me ndjekësit, tani sheh rivalët t’i afrohen dhe ta kapin në renditje, duke e bërë garën edhe më të fortë dhe të hapur se kurrë.

Megjithatë, kampionati do të ndalet përkohësisht për shkak të angazhimeve të Kombëtarja shqiptares, një pauzë që mund të rezultojë e dobishme për skuadrën e drejtuar nga Martini. Stafi teknik ka vendosur t’u japë futbollistëve 3-4 ditë pushim, me synimin për të rikuperuar energjitë fizike dhe mendore për fazën përfundimtare të sezonit.

Ky mini-pushim pritet të shfrytëzohet edhe për të analizuar me më shumë kujdes situatën e brendshme të ekipit, sidomos në aspektin fizik. Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet gjendja e Lirim Kastratit, i cili vazhdon të jetë nën vëzhgim nga stafi mjekësor.

Për momentin, nuk ka ende një diagnozë të qartë mbi dëmtimin e ish-lojtarit të Dinamo Zagrebt, ndërsa mbetet e paqartë edhe koha e rikthimit të tij në fushë. Mungesa e Kastratit mund të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë periudhë, duke parë rolin dhe cilësitë që ai sjell në repartin ofensiv.

Në prag të rikthimit të kampionatit, Vllaznia do të duhet të reagojë menjëherë për të mos rrezikuar objektivat sezonalë. Sprinti final pritet të jetë vendimtar dhe çdo hap fals mund të kushtojë shtrenjtë në një garë ku tashmë asgjë nuk është e sigurt.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments