Skënderbeu-Vllaznia do jetë dueli i javës së 22-të të kampionatit, që do luhet ditën e nesërme në Korçë, në orën 16:45. Një duel që ka parë dominues Vllazninë deri para vitit 2010, e ndërsa më pas korçarët që dominuan jo vetëm shkodranër, por gjithë futbollin shqiptar për një periudhë 7-8 vjeçare. Futbollistët që kanë përfaqësuar të dy skuadrat kanë qenë të shumtë pas viteve 90.

“Shkodra Sport” sjell një formacion me lojtarët që kanë spikatur me të dy ekipet. Kështu duke filluar nga porta, Orges Shehi është ai që ka mbrojtur portën e Vllaznisë dhe Skënderbeut, ku patjetër sukseset më të mëdha i arriti në periudhën e artë të korçarëve. Mbrojtja na paraqet emra të njohur të futbollit tonë në vite.

Lojtarë si Ervis Kraja, Endri Vrapi, Ditmar Bicaj dhe Tefik Osmani gjatë karrierës së tyre kanë përfaqësuar të dy skuadrat. Në mesfushë gjithashtu na paraqiten disa emra interesantë ku Orelesi është një prej tyre. Pa harruar edhe Alikajn, J.Sefen dhe B.Demen. Të gjithë futbollistë në të shkuarën që gjithashtu gjatë sezoneve të ndryshme ishin pjesë e Skënderbeut të artë.

Në sulm Andi Ribaj pasi fitoi titullin me korçarët vendosi edhe për një aventurë me Vllazninë, ku ende gëzon respektin e gjithë tifozerisë shkodrane. E futbollisti më i njohur që ka përfaqësuar të dy ekipet patjetër që është Hamdi Salihi.

Ish-bomberi nuk zhgënjeu kurrë gjatë karrierës së tij përsa i përket shënimit të golave. Këta janë disa nga futbollistët të cilët kanë përfaqësuar në të shkuarën të dy ekipet, duke gëzuar kështu respektin e dashamirësinë e dy qyteteve si Shkodra dhe Korça.
Endri ÇINARI