Lajmi i ditës së djeshme në mediat ndërkombëtare ka qenë padyshim vizita e Mino Raiolës dhe Alf Inge Haland në Spanjë për të biseduar me Barcelonën dhe Real Madrid për transferimin e sulmuesit norvegjez, një udhëtim që duhej të ishte sekret, por që u bë publik sapo ata shkelën në territorin spanjoll.

Sipas Hordi Galvani, një prej fotografëve të pranishëm në aeroportin e Barcelonës ku zbarkuan të dy, Raiola kishte provuar që të mashtronte mediat në mënyrën e tij, por pa shumë sukses.

Raiola kishte udhëzuar babain e Haland që të qëndronte i fshehur në banjën e aeroportit pasi do të dilte ai i pari për të tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle.

Por këta të fundit ishin lajmëruar për praninë e Alf Inge Haland në fluturimin drejt Barcelonës e kështu kishin pritur, derisa ai kishte dalë pas 30 minutash për të hipur në makinën e që i kishte nisur Barcelona e ku e priste një nga njerëzit më të besuar të Joan Laportës.

Ai po e priste për takimin ku është diskutuar transferimi i mundshëm i lojtarit në Spanjë. /vipsport/