Laçi nuk po i ndal përgatitjet. Ritmi është i lartë dhe blofet të ndaluara. Në Gjirokastër, bardhezinjtë do të udhëtojnë me misionin e qartë për të fituar. Zgjidhje tjetër kundër Luftëtarit nuk ka, në një kohë që gara për zonën “Euro” është ndeshur ndjeshëm.

Armando Cungu po punon si me manovrën mbrojtëse, ashtu edhe atë sulmuese. Kërkohet një ekip i cili nuk lë hapësira pas dhe, mbi të gjitha, që shfrytëzon çdo rast që krijohet. Trajneri do t’i bëjë llogaritë vetëm pa Rudolf Turkajn në këtë 90- minutësh, por lajmi i mirë është rikuperimi i Abdurrahman Fangajt dhe Teko Guimaraesh Franka Xhunior.

I pari e ka kaluar gjendjen gripale, ndërsa i dyti është në fazën finale të riaftësimit pas dëmtimit. Me bluzinjtë këtë vit nuk e njohin humbjen, e megjithatë ai barazim në fazën e parë nuk është harruar lehtë.

Ndaj edhe shkodrani i stolit të kurbinasve u ka kërkuar të tijve shumë më shumë përqendrim për të shmangur çdo lloj gabimi. Në Laç shpresojnë te një ndalesë e Partizanit në derbi, pasi me një fitore ndaj gjirokastritëve do të kishin mundësi që ta kapnin vendin e tretë.