Rikthimi i tifozëve sërish në “Loro Boriçi” konsiderohet një plus i madh për Vllazninë nga ana e trajnerit Baldo Raineri. Në konferencën e sotme për shtyp, ashtu siç bën çdo javë një ditë para ndeshjes së rradhës, tekniku italian e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme praninë e tifozërisë kuqeblu në shkallët e stadiumit për ndeshjen me Flamurtarin, duke qenë një arsye më shumë për marrjen e fitores ndaj këtij kundërshtari.


“Mungesa e tifozëve në ndeshjet që kemi luajtur në Shkodër na ka kushtuar jo pak. Shpresoj që në këtë rikthim të tyre, të na mbështesin ashtu si duhet dhe dalim në lojën tonë për të marrë fitoren pas shumë javësh”- ka thënë ai.Por a do të mjaftojë vetëm prania e tifozëve për të marrë fitoren ndaj Flamurtarit? Raineri thotë që prania dhe mbështetja e tifozëve do jetë vetëm një arsye. Për të tjerat është duke menduar ai dhe futbollistët se si do ta nxjerrin me sukses këtë takim. “Jemi përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Futbollistët besoj se do luajnë me zemër duke vlerësuar në maksimum fanellën që kanë të veshur. Unë e njoh Ramelën, trajnerin e Flamurtarit, është një trajner i mirë dhe i uroj suksese por pas ndeshjes me Vllazninë. Do na mungojnë Sykaj e Soza por ato që do i zëvendësojnë besoj se do ta justifikojnë këtë gjë dhe të ndihmojë skuadrën për të arritur me çdo kusht fitoren”- thotë në prononcimin e tij trajneri kuqeblu Baldo Raineri. Ndeshja Vllaznia- Flamurtari do të luhet të shtunën në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi” me tifozë dhe kjo natyrisht që do të jetë një arsye më tepër që kuqeblutë të ndërpresin serinë prej gjashtë humbjesh rradhazi në kampionat.

 

© shkodrasport.com