Skuadra shkodrane duket se është tjetërsuar dy javët e fundit. Pasi është mësuar se zyrtarisht është prishur kontrata me kompaninë “Gea Sport” dhe klubi i është rikthyer edhe njëherë Bashkisë, edhe futbollistët duken më të përgjegjshëm. Vllaznia ka qenë shumë pranë barazimit me Tiranën brenda në kryeqytet, është kualifikuar për në çerekfinale të kupës dhe ka fituar në takimin e fundit me Flamurtarin.

Ajo që shpresohet është padyshim vazhdimi i kësaj kthese në mënyrë që skuadra t’i shkëputet njëherë e mirë fundit të renditjes dhe të jetë më e qetë për vazhdimësinë. Ndryshimet në krye të klubit kanë dhënë një performancë ndryshe dhe kjo duhet vazhduar.
Bordi i ri
Ardhja e tij ka bërë që të ndryshohen shumë gjëra tek Vllaznia. Së pari, në frymën rreth skuadrës. Ka më shumë mbështetje, më shumë besim dhe kjo reflektohet lehtë tek futbollistët dhe tek stafi drejtues. Së dyti, ardhja e Bordit të ri solli edhe rikthimin e tifozëve në shkallët e stadiumit teksa pjestarët e tij morën përsipër pagesën e shumës që kërkonte FSHF-ja për heqjen e dënimit. Kuptohet që për financat e këtij klubi, pagesa e një shume të tillë nuk ishte e lehtë por drejtuesit e Bordit ishin të bindur se vetëm me tifozët pranë situata mund të ndryshonte dhe kjo u dha të drejtë sepse menjëherë erdhi fitorja ndaj Flamurtarit. Përpos kësaj, Bordi i ri për t’i motivuar edhe më shumë futbollistët, përveçse u dha rrogën e prapambetur, vendosi edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh të vjetra për fitoren ndaj vlonjatëve dhe tashmë që ajo është arritur, shpërblimi do shpërndahet sot.
Garancia
Pesë anëtarët e Bordit të ri në dy takimet që kanë patur me skuadrën, i kanë dhënë asaj garancinë se gjërat në të ardhmen do të funksionojnë shumë më mirë. Ata janë në dijeni tashmë të çdo gjëje që ndodh tek Vllaznia, si nga ana financiare, si nga mënyra si janë lidhur kontratat dhe shumë gjëra të tjera. Ajo që vlen më së shumti se në mes pesë anëtarëve të Bordit, nuk ka asnjë diskutim partiak. Vetë ata janë shprehur se janë në Bord për të bërë më të mirën për Vllazninë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër, vetë ata me në krye tashmë kryetarin e zgjedhur Xhevdet Amuli, do të mendojnë edhe për financat e tjera që i duhen skuadrës për të përballuar këtë pjesë të mbetur të këtij viti sepse për të tjerat pastaj do të parashikohen në projekt- buxhetin e vitit 2015. Anëtarët e Bordit kanë dhënë garancinë se kontratat do zbatohen dhe madje po shihet mundësia që në merkaton e janarit të bëhen edhe disa përforcime me lojtarë cilësorë. Ata duket se e kanë marrë shumë seriozisht madje një mënyrë e tillë punë nuk ka funksionuar për asnjë moment që kur Bashkia ka marrë administrimin e klubit të futbollit Vllaznia.

 

© shkodrasport.com