Egnatia dhe Dinamo barazuan 1-1 për javën e 18 të Superligës. Sfida u vendos nga golat e Ibraimit dhe Ademit në secilën pjesë të lojës. Dueli në Rrogozhinë pa vendasit me një lojtar më pak qysh në fillimin e ndeshjes, ndërsa skuadrat ndajnë pikët. Sfida pati tension, me tifozët dhe stafin vendas që protestuan dhe hodhën sende të forta ndaj arbitrit Jorgji.
Pas 18 javësh, Dinamo mban vendin e gjashtë me 19 pikë, ndërsa Egnatia me 16 pikë për vendin e nëntë. Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri i Egnatias, Zekirija Ramadani.
“Një lojtar më pak – Jam i kënaqur pasi kishim një lojtar më pak. Treguam karakter, veç gjendjes fizike që nuk u duk se jemi mangut. Kishim mundësi edhe për të barazuar që në pjesën e parë. Nëse do kishim pësuar, goli i dytë do na fikte fare. Deri në minutat e fundit e menaxhuam mirë dhe barazuam. Treguam inpenjim dhe përkushtim. Kjo na motivon si staf dhe kërkojmë vazhdimësi.
Ndërhyrja e Krasniqit dhe penalltia e pretenduar ndaj Samake – Faull i pastër i Krasniqit. Në rastin e penalltisë, Samake nuk e ka dorën në mënyrë natyrale. Nuk merrem me arbitrat, e drejtoj dorën nga vetja për përmirësim.
Pas ndeshjes mblodha stafin dhe i kritikova për protestat. Mblodha stafinj dhe dua që të jenë të qëtë, të jemi profesionistë. Nëse s’më besoni pyeteni, kam mbajtur ligjëratë për sjelljen dhe protestat e tyre. Për stafin tim kjo është hera e fundit që ndodh.
Merkato – Sonte do jetë në faqen e klubit, nuk dua ta bëj unë publike.
Si ndiheni kur drejtoni një klub të vogël? Edhe Feronikeli ishte i vogël po fituam tripletë. Me të njëjtin objektiv fillova hapat si trajner te Shkupi. Është mirë që punoj në një ekip që ka objektiv, kjo më jep energji”, tha Ramadani./newsport/