Vllaznia ka barazuar sot 1-1 kundër Partizanit, në një ndeshje, të cilën e ka përfunduar me një lojtar më pak në fushën e lojës. Megjithatë, problemi me kartonët nuk qëndron vetëm për lojtarët, pasi trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, ka sjellur rastin e rrallë në Superiore.

Trajneri i kuqebluve nuk i ka kontrolluar nervat në pankinë, duke protestuar te gjyqtari i takimit Lata, për një faull të padhënë. Veprimi i tij nuk është pritur mirë nga gjyqtari Lata, i cili menjëherë i ka treguar kartonin e verdhë.

Ky është i katërti karton i verdhë i marrë për Brdariç këtë sezon, duke plotësuar kështu numrin e lejuar. Për këtë arsye, Brdariç do duhet ta ndjekë ndeshjen e rradhës kundër Skënderbeut nga tribuna e jo nga pankina, teksa nuk do të ketë mundësi që të drejtojë skuadrën gjatë ndeshjes.

Kështu, për këte ndeshje ndaj Skënderbeut, Vllaznisë do t’i mungojë në pankinë trajneri Thomas Brdariç dhe si rrjedhojë, nuk do të jetë në krye të skuadrës në këtë 90-minutësh.

Megjithatë, kjo nuk përbën ndonjë problem, sepse Brdariç, vërtetë nuk do të jetë prezent në pankinë, por do të jetë gjithnjë pranë lojtarëve dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit teknik.

Për më tepër që ai do ta lërë skuadrën në dorë të sigurtë, pikërisht të krahut të tij të djathtë, Elvis Plorit. Kjo dyshe funksionon në mënyrë perfekte dhe padyshim që mungesa e Brdariç nuk do të ndikojë fare në këtë ndeshje.
Maringlen ZHIVANI