Lajmet që kanë qarkulluar pasditen e sotme në lidhje me një kërkesë të Ministrisë së Financave drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve për të shpallur falimentin e klubit Vllaznia për shkak se ai rezulton prej vitesh me humbje, kanë marrë një përgjigje nga ana e vetë klubit shkodran përmes një deklaratë për shtyp. Në të ndër të tjera, lajme të tilla konsiderohen mashtrime dhe për më tepër që vijnë në momentin më të mirë që po kalon skuadra dhe për rrjedhojë janë konsideruar dashakeqëse. Ja deklarata e plotë e klubit kuqeblu:

Deklaratë për shtyp e Klubit të Futbollit Vllaznia
Njerëzit që nuk e duan Shkodrën dhe Vllazninë, mesa duket, nuk po e durojnë dot ecurinë pozitive të skuadrës tonë gjatë këtij sezoni dhe po sulmojnë me çdo lloj mashtrimi. Këto personazhe duket qartë se kanë për qëllim të dëmtojnë Vllazninë në momentet e saj më të mira, kur ajo është drejt realizimit të objektivit të saj për të siguruar një vend që e çon atë në Kupat e Europës. Lajme të tilla për më tepër vijnë në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme siç është ajo e kësaj jave ndaj Partizanit dhe në vend që të mbështesin skuadrën për arritjen e një fitoreje, e sulmojnë atë në mënyra tepër të ulëta. Megjithatë Vllaznia, lojtarët, trajneri, i gjithë klubi është i vendosur për të vazhduar sfidën. Jemi të vendosur për të luftuar për suksesin, për t’i bërë një mbyllje sa më të mirë këtij sezoni dhe sigurisht, për të nisur planet për një skuadër edhe më të fortë në sezonin e ardhshëm.
KF Vllaznia