Boksieri më i mirë i Memorialit të 14-të Ndërkombëtar “Vllaznia 2017” është shpallur pikërisht ai, Arjon Kajoshi. Ndeshja e fituar ndaj bullgarit Chamov në finalen e peshës 75 kg, ka qenë vendimtare jo vetëm për këtë verdikt por edhe për atë se kush do të ishte ekipi më i mirë i këtij aktiviteti, Shqipëria apo Bullgaria? Rëndësia e madhe e kësaj ndeshje nuk e emocionoi shkodranin 20 vjeçar pavarësisht se përballë kishte një kundërshtar më të madh në moshë dhe me më shumë përvojë.

Kajoshi ka bërë dyluftimin e tij duke qenë ai gjithnjë protagonist dhe jo më kot, në fund të ndeshjes kur gjyqtaria ka dhënë vlerësimin 3-0 në favor të tij, stafi bullgar dhe vetë boksieri i tyre, nuk kanë patur as më të voglin kundërshtim. Boksieri i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare në një prononcim për “SHKODRA SPORT” shprehet i kënaqur për këtë sukses kur thotë: “Kanë qenë dy ndeshje të vështira, sidomos finalja ndaj kundërshtarit bullgar. U mundova të jap më të mirën time dhe padyshim që u ndjeva i lumtur kur në fund u shpalla fitues. Padyshim që kur u vlerësova edhe me kupën e boksierit më të mirë të Memorialit, jam ndjerë i lumturuar. Kuptohet që jam ende në fillimet e karrierës time megjithatë të gjithë këto aktivitete, të gjitha këto ndeshje, po më ndihmojnë të rritem nga ana profesionale dhe jam i bindur se në të ardhmen, do të mund të zhvilloj takime edhe më të mira dhe pse jo, të futem edhe në zonën e medaljeve europiane. Edhe në Europianin e fundit të 22 vjeçarëve që u zhvillua në Rumani, kam qenë shumë afër kësaj arritje. Nuk e preka dot megjithatë kjo nuk më bën të humb shpresën për të arritur në të ardhmen”.

© shkodrasport.com