Ka zhgënjyer Vllaznia në basketboll për meshkuj. Në ndeshjen finale të Superkupës së Shqipërisë, atë ndaj Tiranës, shkodranët kanë bërë një paraqitje për t’u harruar dhe në fund kanë humbur me 26 pikë diferencë duke e lënë këtë trofe në duart e bardhebluve. Takimi është luajtur sërish në “Asllan Rusi” të kryeqytetit por këtë herë pa praninë e tifozëve. Kuptohet që pritej të ishte një sfidë shumë e luftuar nga të dy ekipet por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Në periodën e parë, janë vendasit që e nisin më mirë ndeshjen dhe i mbyllin 10 minutat e para me rezultatin 19 me 12 në favorin e tyre. Në të dytën gjërat ndryshojnë dhe Vllaznia luan më mirë arritur edhe të barazojë për një moment rezultatin dhe madje edhe të kalojë në avantazh por vetëm kaq sepse pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me shifrat 35 me 31 për Tiranën. U mendua se në të dytën shkodranët do të rrisnin lojën e tyre por nuk do të ndodhte kështu. Perioda e tretë do të jetë vërtetë për t’u harruar. Gabime njëri pas tjetrit të lojtarëve të Vllaznisë si nga gjuajtjet brenda zonës ashtu edhe në ato të lirat dhe jo më kot, në fundin e periodës së tretë diferenca në mes dy ekipeve do të shkonte në 20 pikë. Këtu kuptohet se nuk ka më shpresë për të synuar trofeun dhe trajneri Sarin i jep mundësi edhe lojtarëve të stolit për të luajtur dhe për rrjedhojë i gjithë takimi do të mbyllej me rezultatin 85 me 59 në favor të Tiranës që shpallet fituese e Superkupës për këtë sezon. Sakaq, ekipi shkodran ka zhgënjyer tërësisht me paraqitjen e saj dhe natyrisht që nëse luan edhe në plej- of kështu, atëherë duhet ta harrojë titullin kampion. Megjithatë pa mbërritur tek finalet, kuqeblutë pikësëpari duhet të kalojnë Teutën në gjysmëfinale sepse nëse luajnë si dje, nuk është çudi që të mos e kalojnë as këtë kundërshtar.
© shkodrasport.com