Pas reagimit të klubit të Futbollit Vllaznia me deklaratën për shtyp,ka folur edhe kapiteni i kuqebluve Ndriçim Shtubina. Ai ka folur në lidhje me akuzat e dala nga kampi kukësian sipas të cilit “shkodranët po luajnë për Partizanin”. Numri 10 ka mohuar gjithçka teksa për “SHKODRA SPORT” është shprehur: “Nuk dua të merrem as unë dhe asnjë pjestar i Vllaznisë me ato çfarë mendojnë kukësianët. Vllaznia ka luajtur dhe luan vetëm për veten e saj dhe është e palogjikshme të bëjnë kaq shumë zhurmë. Nuk kemi vjedhur asgjë. Kemi luajtur futboll dhe morëm një rezultat ndoshta jo më të mirin sepse meritonim edhe fitoren.
Nuk e kuptuam pas ndeshjes gjithë atë reagim të vendasve. Kukësi ka arritur të fitojë disa herë në Shkodër dhe askush nuk u ka thënë gjë,prandaj nuk kanë pse të bëjnë kështu. Sa për premio, unë nuk di të na ketë dhënë kush premio për të ndalur këtë skuadër”. Kuptohet se tashmë vëmendja është spostuar tek takimi i rradhës,ai me Partizanin që do të luhet ditën e dielë. Shtubina është padyshim i bindur se skuadra ka për të dhënë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. “Kemi disa mungesa por ata që do të luajnë, them se kanë për të dhënë maksimumin për të tentuar të marrim pikë edhe në këtë ndeshje. Të gjithë duhet të jenë të bindur se Vllaznia do luajë për fitore. Se çfarë do të prodhojë fusha e lojës, kjo është tjetër gjë. Kemi treguar se Partizanit dimë si ti marrim pikë. E kemi bërë dy herë këtë sezon dhe do të tentojmë ta bëjmë sërish. Nëse ndodh kështu, çfarë do të thotë Kukësi pastaj?
© shkodrasport.com