Real Madrid ka fituar 3-2 në “Santiago Bernabeu” kundër Huesca-s së vendit të fundit në javën e 29-të të La Liga-s. Takimi ka filluar me dy Zidane në radhët e madrilenëve, duke parë se “Zizou” ka vendosur t’ia besojë portën djalit të tij, Luca, i cili ka qenë me të vërtetë i pafat në të dy golat e pësuar.
Tri minuta i janë dashur miqve për të kaluar në avantazh, por Isco ka kthyer ekuilibrin në të 25-ën, duke shënuar dy gola në dy ndeshjet e luajtura pas rikthimit të Zidane në stol, një më shumë se në 16 takimet e mëparshme.
Madrilenët kanë arritur të përmbysin rezultatin në të 62-ën me Ceballos, por Etxeita ka barazuar 2-2 me një goditje me kokë brenda zonës së rreptësisë. Kur mendohej se sfida do të mbyllej në barazim, Karim Benzema ka realizuar golin e fitores në minutën e 89-të me një të djathtë perfekte.
Sulmuesi francez ka shënuar kundër çdo ekipi me të cilin është përballur në La Liga: 141 gola kundër 34 ekipeve të ndryshme.
Real mbetet në vendin e tretë me 57 pikë, dy larg Atletico Madrid-it të vendit të dytë dhe 12 larg Barcelona-s kryesuese.