Real Madrid humbi dy lojtarët kryesorë në mbrojtje me Varanen që u largua drejt Mançester Junajtid dhe Serxho Ramos që u transferua në Paris.
Madrilenët kanë ngelur pa një qendërmbrojtës me eksperiencë dhe për momentin alternativat nuk mungojnë. Madrilenët kanë hedhur sytë nga mbrojtësi spanjoll i Sitit, Ajmerik Laport. Ky i fundit e njeh mjaft mirë kampionatin spanjoll pasi më parë ka qenë pjesë e Atletiko Bilbaos.
27-vjeçari është prej 5 vitesh pjesë e “qytetarëve” të Guardiolës, por Guardiola nuk e ka parë asnjëherë si zgjedhje të parë duke aktivizuar si titullar Xhon Stons dhe Ruben Dias. Problem mbetet vetëm çmimi i lojtarit pasi Siti i ka vendosur çmimin 70 milionë euro.
Arsyeja është se Siti kërkon të grumbullojë para për të bërë godijen e fundit në merkato, sulmuesin Herri Kejn. Nuk dihet nëse do të finalizohet kjo tratativë pasi dhe Reali është e përqendruar në afrimin e Mbape i cili do t’i kushtonte madrilenëve 150 milionë euro.