Nuk ka më dilema, Gilman Lika që nga kjo javë ka marrë statusin e ish-futbollistit, por për të mbetur pranë këtij sporti, pasi ka nisur karrierën si trajner.

Pas 17 vitesh karriere te suksesshme si futbollist, ku ka luajtur në disa klube si brenda dhe jashtë vendit, ku ka zhvilluar edhe 19 ndeshje me Kombëtaren, Gilman Lika ka varur “këpucët në gozhdë” duke nisur një rruge të re, atë të trajnimit.

Ish- mesfushori shkodran ka nisur zyrtarisht punë si trajner, ku i është bashkuar projektit të “Basania FC” (akademi private e krijuar para një viti) duke marrë drejtimin e ekipit U-15, që në sezonin e ri do të marrë pjesë në aktivitet e kësaj grupmoshe në Kategorinë Superiore.

Pas “divorcit” me Vllazninë, Lika nuk u bind për të vijuar karrierën si lojtar, ndaj sezonin e shkuar ai e kaloi pushim. 34- vjeçari ka hequr dorë nga futbolli i luajtur, por sërish do të merret me këtë sport ku fillimet si trajner po i hedh me moshat e akademisë “Basania”.

Një investim privat ky, ku presidenti saj Ermir Shimaj po afron disa figura të Vllaznisë, ku bën pjesë edhe trajneri Safet Osja, që vjet ishte pjesë e stafit të trajnerit Brdariç./PANORAMASPORT/