Jo më kot quhen “Mbretërit” e Europës. Reali i Madridit e ka treguar këtë gjë jo vetëm në fushë me 14 Champions të fituar në histori, por edhe me marketingun. Sipas një analize të bërë nga kompania “Kiliagon”, pjesë e grupit “Labelium” dhe “Amazon”, Reali i Madridit është klubi që ka shitur më shumë fanella në Europë në sezonin që lamë pas.

Kompania në fjalë nuk ka dhënë shifra konkrete, por ka nënvizuar se kampionët e Europës dhe të Spanjës kanë arkëtuar 3 milionë euro në sezonin e kaluar vetëm nga shitja e fanellave. Analiza është bërë duke marrë të gjitha shitjet e bëra në “Amazon” dhe që ka marrë për bazë pesë kampionatet më të forta në Europë:

Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë. Sipas përllogaritjeve, klubet në këto 5 kampionate ka arkëtuar 12,3 milionë euro në sezonin e fundit.

Pas Realit të Madridit me 3.3 milionë euro vjen Paris SG-ja që ka arkëtuar 2,2 milionë euro nga shitja e fanellave. Rritje të madhe ka pësuar Milani, teksa shpallja kampion në Itali ka ndikuar jo pak në shitjen e fanellës kuqezi. Milani ka arkëtuar 1.5 milionë euro.

Analiza ka treguar se në rastin e Paris SG-së ka ndikuar shumë Lionel Mesi. Kampionët e Francës kanë shitur 1 milion fanella nga të cilat 60% ato me numrin 30 që mbahet nga argjentinasi.