Kundër Ponferadinës në fundjavën që kaloi, Myrto Uzuni i qëndroi besnik golit dhe këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë, ai shtoi një numër tjetër në rekordin e tij të golave, duke qëndruar në krye të tabelës së golashënuesve të Kategorisë të Dytë spanjolle me 19 gola, një shifër kjo që e afron me golashënuesin më të mirë të historisë së Granadës, podium ku lojtari i Kombëtares dëshiron të ngjitet.

Sipas artikullit të “Marca”-s, deri tani dhe me 11 ndeshje para përfundimit të kampionatit, Uzuni ka tundur 19 herë rrjetat e portave rivale, që do të thotë një gol çdo 113 minuta. Përveç kësaj, anësori i Granadës ka rritur produktivitetin e tij në ndeshjet e fundit, duke shënuar shtatë gola në shtatë ndeshjet e tij të fundit.

REKORDI

Uzuni tashmë ka kaluar Puertas, i cili ishte golashënuesi më i mirë i Granadës në sezonin 2018-2019 me 11 gola. Ai është afër kalimit të Navaros, i cili ka shënuar 21 gola 66 vite më parë, dhe po ndjek gjurmët e Morales dhe Geihos, të cilët kanë shënuar 24 gola në një sezon.

Nëse beratasi ruan ritmin aktual ai mund t’i kapërcejë këto nivele dhe të aspirojë për të rrëzuar nga froni Rafan, golashënuesin më të mirë në sezonin 1955-’56, me 25 gola, një sfidë mjaft e vështirë për sulmuesin.

Hyrja në librat e historisë mund të jetë një nxitje shtesë, por motivimi i vërtetë për Uzunin është rikthimi i Granadës në kategorinë elitare në Spanjë, një synim ambicioz që do të jetë më afër nëse futbollisti i talentuar beratas vazhdon të shënojë njësoj, sinonim i fitores për Granadën, të cilët nuk kanë humbur kurrë kur shqiptari ka shënuar.