Snjale rikthimi te Skënderbeu. Në prag të ndeshjes me Besëlidhjen, korçarët marrin lajme të mëdha. Ardit Nikaj dhe Hektor Idrizaj i janë bashkuar grupit në stërvitje dje. Nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim, duke e përballur të plotë seancën dhe marrë ngarkesa. Në të tilla kushte, pritet që Ivan Govozdenoviç të ketë më shumë opsione për ndërtimin e 11-shes për këtë transfertë delikate. E megjithatë, dyshimet vazhdojnë për brazilianin Agnaldo Moraesh.

Mesfushori është bashkuar me ekipin, por vështirë se do të grumbullohet. Ai u bë kohë që nuk ka qenë pjesë e organikës dhe nuk është në formën optimale. Kjo mund të detyrojë trajnerin që të mos rrezikojë. Gjithsesi, seanca e sotme pritet që të tregojë më shumë rreth gjendjes së lojtarëve dhe zgjedhjeve të serbit, që ende ka dilema për sa i përket formacionit veçanërisht për mesin e fushës.

NIKAJ – Skënderbeu ka shansin për të marrë arratinë. Sido që të shkojë rezultati i Flamurtari-Dinamo, për korçarët do të jetë një megabonus. Një nga rivalët direkt do ta lënë pas. Për këtë motiv, ndeshja me Besëlidhjen merr vlera akoma edhe më të mëdha. Edhe pse kundërshtari mbyll renditjen dhe praktikisht ka pak mundësi për ta shpëtuar këtë sezon, stafi teknik dhe lojtarët e kanë marrë më shumë se seriozisht. I këtij mendimi është edhe Ardit Nikaj, sulmuesi që ka djegur etapat e rikuperimit dhe është gati për këtë takim.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani vlerëson formën që kanë arritur korçarët dhe është i mendimit që do të bëjnë maksimumin e mundshëm për të dalë me tri pikët edhe nga kjo transfertë delikate. “Jemi në rrugëtimin e duhur dhe e shoh si shumë të mundshme vijimësinë me të tilla rezultate. 10 javët e fundit e tregojnë më së miri se po ecim në rrugë të mbarë dhe mbi të gjitha, kemi rritur mjaft forcën tonë përmes rezultateve.

Mendoj se fitorja e fundit na riktheu në formën që duhet të kemi për të mbajtur gjallë objektivin dhe mbi të gjitha në vendin e parë. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim hap pas hapi rezultatet tona, dhe të fitojmë çdo ndeshje. Ndaj Besëlidhjes është e vështirë, pasi e dimë shumë mirë si shkoi fazën e parë. Tani luajmë në transfertë dhe do të jetë edhe më delikate. Duhet të jemi të përqendruar dhe të hyjmë në fushë pa presion psikologjik”, përfundoi Nikaj.