Merkatoja e Dinamos ndryshoi kurs to talisht kur ishte në gjysmën e saj, sepse ndërruan komplet edhe objektivat sezonalë të klubit me projektin e ri. Inkuadrimi i bluve në rrjetin global të markës së Mançester Sitit kërkon një skuadër me nivel tjetër, ndaj dhe kthesa ishte e fortë në merkato, ku goditja e fundit është Lorenco Vila.

Të tjerë futbollistë me kualitet priten te blutë dhe kjo situatë ka bërë që të ketë edhe një listë largimesh. Trajneri Luixhi di Biaxho ka parë nga afër gjendjen e të gjithë lojtarëve në Itali dhe tani në kryeqytet, kështu që ka gati listën me ata që nuk e kanë bindur. Ai i ka vëzhguar me shumë kujdes, i ka provuar në role të ndryshme dhe tani e ka më të qartë se kush nuk i bën punë. Nga skuadra do të ketë largime, por edhe të tjerë, ata që janë të rinj në moshë, që do të kalojnë te Dinamo U-19.

LARGIMET – Klubi ende nuk ka bërë asnjë njoftim sa u takon largimeve, por gazeta mëson se në këtë listë bëjnë pjesë emra si Devid Kapllani, Ali Samake, Erisildo Smaçi, madje edhe sllovaku David Ivan, të cilin kishte dyshime që pas mbylljes së sezonit të fundit, për shkak të disa shqetësimeve fizike që ka pasur lojtari me një të kaluar te Sampdoria. Më pas u vendos që ai të vazhdonte me blutë, ndërsa tani është sërish në listën e largimeve.

Arsyeja mund të jetë e njëjta: gjendja fizike. Trajneri Di Biaxho, përveçse është më i fokusuar te përgatitja taktike, ka si përparësi edhe gjendjen fizike të çdo futbollisti, duke kërkuar një nivel të lartë. Ai ka kërkuar dy mesfushorë me nivel për t’i pasur titullarë te Dinamo, pasi nuk sheh siguri tek Ivani, por edhe te Smaçi, që vjen nga një dëmtim. Në mesfushë ai ka aktivizuar brazilianin Lorran, si dhe të riun Jaku.

Nga mbrojtësit thuhet se do të largohet Ali Samake, pasi edhe në repart pritet një tjetër lojtar me kualitet, që mund të vijë së shpejti. Edhe italiani Luka Krosta ka dalë jashtë planeve të stafit teknik, pas afrimit të Bekim Rexhepit dhe Edmir Salit. Për sulmin i ka takuar Kapllanit të lirojë vendin. Durrsaku erdhi këtë verë te Dinamo si një përforcim, por nuk u zyrtarizua asnjëherë nga blutë.

Këta janë pesë emrat që pritet të lënë Dinamon, përveç atyre, të cilët ishin larguar më parë, si Bakaj e Lilaj që u tërhoqën nga futbolli e më pas me radhë Imami, Taulant Marku, Zhivanaj, Fetaj, Dikson, Daja dhe Fejzulla. Te Dinamo U-19, që gjithashtu synohet të jetë një skuadër sa më e fortë, kanë shkuar Alen Ndreu, Aurel Marku dhe Oresti Kasmollari, por mund të ketë edhe ndonjë tjetër në vazhdim, apo ndonjë që mund të largohet nga blutë.