Kategoria Superiore kthehet këtë të enjte me ndeshjet e javës së 13-të, të cilat u pezulluan për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rafael Duamenës, pas kolapsit në ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit në Rrogozhinë.
Sipas kalendarit, java do të rifillojë pikërisht në Rrogozhinë, me këtë ndeshje e cila do të nisë nga minuta e 25-të e takimit, atëherë kur u ndërpre për shkak të situatës së të ndjerit.
Por ndërkohë, ka pësuar ndryshime kalendari i ndeshjeve për këtë ditë, pasi sfida Tirana-Kukësi, e planifikuar që të luhet në drekë, është zhvendosur në darkë, për t’u zhvilluar në “Air Albania” në orën 20:00.
Impianti ishte i mbyllur për klubet për shkak të ndeshjes së Kombëtares dhe tani ata mund të kthehen përsëri të luajnë në stadiumin më të madh në vend që nuk ka ndeshje të tjera ndërkombëtare të paktën deri në mars.Ndërkaq, të premten luhen në orën 17:00 dy sfida, ato Vllaznia-Laçi dhe Skënderbeu-Teuta të cilat mbyllin javën.
JAVA 13
E enjte, 23 nëntor
Egnatia-Partizani 13:30 (1-1) (ndeshja nis nga minuta e 25-të)
Dinamo-Erzeni 17:00 (në stadiumin “Niko Dovana”)
Tirana-Kukësi 20:00 (në stadiumin “Air Albania”)
E premte, 24 nëntor
Vllaznia-Laçi 17:00
Skënderbeu-Teuta 17:00