Një rikthim i rëndësishëm pas më shumë se 3 muajsh për Vllazninë mbrëmë kundër Tiranës ishte Liridon Latifi. Prishtinasi që mungonte në një ndeshje zyrtare për kuqeblutë që prej datës 28.08.2022 në ndeshjen kundër Kukësit, u aktivizua mbrëmë kundër bardhebluve. Do ishte minuta e 68-të e ndeshjes ku 28-vjeçari do zinte vendin e Markut.

Kjo duke sjellur edhe ovacionet e publikut shkodran në impiantin kryeqytetas. Kjo pasi të gjithë prisnin prej kohësh rikthimin në fushë të fantazistit. Që jo vetëm që është një ndër lojtarët kryesorë tek Vllaznia, por edhe ndër më të spikaturit në kampionatin tonë. Impakti i tij u vu re menjëherë në lojë, ku pas minutave të para nga aktivizimi, Latifi filloi të tregojë cilësitë e tij.

Shpërthimet nga krahët e sulmit, si edhe pasimet për gol që dhuroi në dy raste për shokët e tij të skuadrës tregojnë për cilësitë e këtij futbollisti. Patjetër edhe penalltia që u fitua me shumë merita nga Çoba, u ekzekutua mjeshtërisht nga ana e ish-futbollistit të Skënderbeut. Ku në çastin e gjuajtjes nuk i la asnjë shans portierit Bekaj për të kryer pritjen.

Patjetër që forma sportive e Latifit për momentin nuk është në 100% të tij, por duket se tashmë dëmtimi është harruar. Rikthimi i tij gëzon si stafin teknik e po ashtu tifozët, që tek numri 7-të shohin njeriun e duhur që mund të dërgojë Vllazninë drejt sukseseve. E po ashtu futbollistin që i ka munguar në këtë periudhë skuadrës në vijën sulmuese.
Endri ÇINARI