Hera e fundit që ka zbritur në fushë si titullar ka qenë 29 shtatori i vitit të kaluar, pikërisht në ndeshjen Besëlidhja- Vllaznia kur u demtua. Antonio Marku që prej atij momenti ka kaluar momente jo të mira, fillimisht me dëmtime dhe pastaj me qëndrim të tejzgjatur në pankinë. Trajneri Lika nuk i dha hapësirën e duhur edhe ngaqë lojtarët e tjerë të repartit të mbrojtjes po luanin mirë.

Mbrojtësi i majtë i kuqebluve ka pritur, ndoshta edhe me mërzi por pa e ulur asnjëherë ritmin e punës në stërvitje. Ka pritur momentin e tij dhe ai erdhi sot. Ndoshta në mënyrë disi të papritur, ai është aktivizuar si titullar në ndeshjen e kupës ndaj Kamzës.

Në fakt, askush nuk e priste sepse stafi teknik gjatë javës ka aplikuar një formacion tjetër dhe një vendosje tjetër. Por sot kanë vendosur të ndryshojnë. I janë rikthyer sërish mbrojtjes me tre dhe në vend të rumunit Ignat është aktivizuar pikërisht Marku.

Nuk është se ka zhvilluar një 90 minutësh perfekt sepse kuptohet që mungesa në fushë prej kohësh ka patur ndikimin e vet, megjithatë ka rezultuar përcaktues. Në mbrojtje nuk ka gabuar dhe jo vetëm kaq, por ka shënuar edhe golin e barazimit të ndeshjes.

Ka ndjekur aksionin e skuadrës së tij dhe me kokë ka dërguar topin në rrjetë në minutën e 57-të. Një gol që i hapi rrugë pastaj golit të fitores shënuar nga Junior. Ndeshja e sotme kësisoj ka shënuar rikthimin e Antonio Markut.

Ai që me siguri do të bëjë “të harrohet” rumuni Ignat sepse me karakterin dhe përkushtimin që e karakterizon, do ia dalë të rikthehet sërish në nivele të larta.
© shkodrasport.com