Eddie Howe e ka lënë të hapur mundësinë që Newcastle të përdorë lidhjet e tyre saudite për të nënshkruar në formë huazimi yjet e Pro League si Cristiano Ronaldo.

Newcastle do të kthehet të garojë në Champions League këtë sezon, por deri më tani këtë merkato lojtari prej 70 milionë euro, Sandro Tonali ka qenë i vetmi afrim në skuadrën e Eddie Howe.

Howe tani ka sugjeruar që klubi mund të bëjë disa marrëveshje me palët saudite të cilat, si Newcastle, janë në pronësi të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Howe tha kur u pyet nëse lojtarë si Ronaldo dhe Ruben Neves mund të bëhen objektiva huazimi për Magpies: “Kjo varet nëse është gjëja e duhur për Newcastle. Ne gjithmonë do të veprojmë me interesat tona më të mira në radhë të parë”, tha trajneri duke lënë gjithçka të hapur.