Kampionati shqiptar i futbollit do qëndrojë pushim deri në datën 12 dhjetor. Skuadrat e Superiores do kthehen në fushë pikërisht në gjysmën e muajit të fundit të vitit, ku do kenë një grumbull ndeshjesh për të luajtur. Do jenë 4 ndeshje për secilën skuadër, para pushimeve të fundvitit.

Vllaznia do zbresë më herët në fushë dhe konkretisht në datën 7 dhjetor, ku do luajë superkupën me Tiranën. Por edhe kampionati në dhjetor rezervon disa takime të forta për shkodranët, ku thuajse të gjitha ndeshjet do jenë një provë force. Duke filluar nga dueli kundër Egnatias në Shkodër, ku rrogozhinasit kanë ambicie të mëdha këtë edicion dhe me patjetër që do kërkojnë pikë.

Pas dueli me Egnatian, Vllazninë e pret një transfertë e sikletshme si ajo kundër Kastriotit. Krutanët asnjëherë nuk janë një kundërshtar i lehtë për askënd dhe pritet të jenë një pengesë reale.

Po ashtu në dhjetor Vllaznia do presë edhe Teutën, me durrsakët në nevojë emergjente për pikë dhe me patjetër janë një rival që duhet marrë seriozisht. Kjo duke parë edhe barazimin 0-0 në fazën e parë në Durrës.

Dueli që do mbyllë vitin do jetë ai kundër Partizanit. Një ndeshje direkte për titull dhe që mund ti dërgojë në humore të ndryshme ekipet në festat e fundvitit. Një muaj me sfida shumë interesante për kuqeblutë, që do tregojnë për forcën reale të skuadrës së Joses dhe ambiciet për edicionin që sa do vijë e do vështirësohet.
Endri ÇINARI