Ka luajtur në dy ndeshje miqësore rradhazi të Kombëtares U-21 dhe në të dyja prej tyre ka qenë titullar nga fillimi dhe deri në fund. Në fakt, gol nuk arriti të shënojë, edhe pse iu afrua disa herë pranë. Fjala është për mesfushorin e Vllaznisë, Rejan Alivoda, i cili ka spikatur në këto dy ndeshje me Shpresat kuqezi.

Kështu, pasi është kthyer në një futbollist të rëndësishëm të Vllaznisë, me dy ndeshjet e luajtura me Kombëtaren U-21, ai është shndërruar edhe aty në protagonist dhe nëse vazhdon në këtë mënyrë, me siguri që mund të themi se përveç ekipit shkodran, edhe skuadra e Kombëtares A po fiton një element me shumë vlerë për të ardhmen.

Në dy ndeshjet e fundit me Kombëtaren U-21, të drejtuar nga trajneri Alban Bushi, Alivoda ka treguar shumë karakter, klas dhe siguri, teksa ka qenë edhe tepër i qetë në fushën e lojës gjatë dy miqësoreve të fundit.

Padyshim që, kjo është diçka shumë pozitive, por nuk mjafton, sepse janë vetëm ndeshjet e para me Kombëtaren U-21 dhe e rëndësishme për të është të ruajë ritmin dhe të vijojë rrugëtimin e nisur, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ngjitet edhe më lart, pse jo për të shkuar shumë shpejt edhe drejt Kombëtares A.

Rejan Alivoda është një produkt i Akademisë Vllaznia dhe konsiderohet një “xhevahir” nga i cili vetë klubi shkodran shumë shpejt mund të mbushë edhe arkën e tij.

Realisht, mesfushori shkodran po e justifikon plotësisht besimin si tek Vllaznia, ashtu edhe tek Kombëtarja U-21, me lojën që po zhvillon dhe po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje.
Maringlen ZHIVANI