Mungesa e disa titullarëve për arsye dëmtimesh e kartonash tek Vllaznia, për sfidën e sotme ndaj Luftëtarit, ka detyruar trajnerin Hysen Dedja të hedhë sytë nga ekipi i të rinjve të këtij klubi.

Përveçse i ka marrë në stërvitje prej disa ditësh disa prej tyre, mësohet se 2-3 lojtarë të ekipit U19 janë grumbulluar për takimin e sotëm dhe kanë udhëtuar me ekipin drejt Gjirokastrës.

Njëri prej tyre është mesfushori Eraldo Deda. Ka qenë vetë lojtari që “e ka zbuluar” një fakt të tillë teksa ka postuar një foto në rrjetet sociale teksa shihet në rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës, i veshur me kostumin e Vllaznisë.

Ky padyshim që është një moment që duhet ta ketë bërë shumë të lumtur Dedën, por edhe ndonjë shok tjetër të ekipit të të rinjve sepse trajneri Deda u ka bërë të mundur realizimin e një ëndrre të madhe.

Nuk është çudi madje edhe nëse të ketë ndonjë minutë aktivizim në ndeshjen e sotme dhe kjo do të ishtë vërtetë “qershia mbi tortë” për ta.
www.shkodrasport.com