Në krye të Vllaznisë duket se ka ardhur trajneri I duhur. Artan Bushati me t’u ulur në pankinën e kësaj skuadre, ka sjellë edhe ndryshimet e para tek ajo. Në mënyrën e të luajturit, në përkushtimin e futbollistëve në fushë, përzgjedhjen e tyre dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me ecurinë e një skuadre.
Por ndryshimi kryesor I ish-teknikut të Shpresave në krye të Vllaznisë sigurisht që është ai I mentalitetit të saj. Trajnerë të mëparshëm që kanë punuar me të, edhe para ndeshjeve që luheshin në Shkodër e kishin të gatshme deklaratën: “Në lojë janë të tre rezultatet”. Kjo në fakt nuk I shkonte për shtat futbollit shkodran sepse vërtetë Vllaznia është një ekip që të lë të luash futboll por jo aq sa për të gëzuar kundërshtarët dhe për të hidhëruar veten dhe tifozët e saj. Ardhja e Bushatit duket se do t’I ndryshojë gjërat. Vërtetë për të mund të vijë edhe humbja një moment por mentaliteti me të cilin do hyjë në fushë skuadra është ai I fituesit. E ka thënë këtë gjë vetë ky trajner në prononcimin e tij teksa I pyetur në lidhje me ecurinë e deritanishme dhe prognozën për ndeshjen e ardhshme me Luftëtarin, është shprehur: “I kemi bërë një nisje të mirë fazës së dytë teksa kemi marrë pikët maksimale dhe kjo nuk është pak. Sigurisht se kemi ende për të përmirësuar sidomos në lojën tonë megjithatë na duheshin këto pikë për të qenë më të qetë në vazhdim. Ndeshja me Luftëtarin? Nuk ka përballje të lehta megjithatë ne jemi të përgatitur për këtë gjë dhe ajo që dua të them unë është se Vllaznia përballë Luftëtarit apo kujtdo kundërshtari tjetër, do hyjë në fushë me objektivin e vetëm për ta fituar ndeshjen. Në Gjirokastër ne e kemi të qartë se do na presë një kundërshtar shumë I fortë që është në kufinjtë e mbijetesës megjithatë t’ia lëmë fushës për rezultatin, por e përsëris, objektivi jonë do jetë vetëm fitorja”.
Skuadra. Ndryshimi tek ajo është I madh. Largimi I Duros dhe ardhja e Bushatit, kanë sjellë shumë gjëra ndryshe. Skuadra është po ajo, madje më e dobësuar sepse janë larguar Osmani e Hysa. Përpos kësaj, në ndeshjet e para nuk ishin as Beqiri e Deliç dhe në të tilla vështirësi, sërish trajneri aktual arriti ta gjente “ilaçin”. Vendosi Seminën në qendër të mbrojtjes, aty ku ai ka dëshirë të luajë, “zbuloi” Belishën si qendërmbrojtës dhe “ringjalli” Begajn sërish në krahun e majtë të mbrojtjes. Ky I fundit aq shumë I sulmuar në fazën e parë për ardhjen në Shkodër, pse jo edhe lidhjet me ish-trajnerin, po tregon se paratë që ka shpenzuar Vllaznia për të, nuk kanë shkuar dëm. Aq sa në pragndeshjen e fundit me Kukësin, Begaj pati probleme dëmtimi dhe luajti me gjilpëra vetëm ngaqë trajneri e donte në fushë. Po ashtu, në mesfushë, 20 vjeçari Bardulla mund të quhet risia e Bushatit sepse në të dy ndeshjet që ai ka luajtur, ka bërë një paraqitje të mirë. Përkrah Tafilit, edhe ky gjithnjë në rritje dhe me Nallbanin, mesfusha ka qenë në lartësinë e duhur. Duke I shtuar këtyre lojtarëve edhe të zakonshmit Vujadinoviç, Smajli, Dragoi e Hajdari apo dhe sulmuesin Rexha vendimtar me lojën e golat e tij atëherë kur duhet, kjo Vllazni ka shumë besim në vetvete. Me rikthimin edhe të Beqirit dhe të Deliç, gjërat do rregullohen edhe më mirë, skuadra do të bëhet edhe më e fortë dhe prandaj trajneri Artan Bushati ka besim tek ajo. Jo më kot thotë se kjo Vllaznia do hyjë në fushë në çdo ndeshje me objektivin e vetëm për të fituar.
Gjergj KOLA