Vllaznia ekip, para ndeshjes me Skenderbeun ne KorcePavarësisht se njeriu gol i takimit me Kukësin ka qenë sulmuesi kosovar Kastriot Rexha, dy nga më të mirët në fushë në këtë përballje kanë qenë mesfushorët Alsid Tafili dhe Florind Bardulla.
Bardulla – Në një prononcim për gazetën, mesfushori shprehet: “Jam i kënaqur që jam protagonist në një fitore të tillë të arritur nga ekipi, për më tepër kur ajo është arritur para një tifozërie të zjarrtë. Kemi fituar një takim, por për më tepër kemi arritur të bindim edhe sportdashësit tanë, të cilët duhet të besojnë më tepër te ne.Ishim përgatitur për të marrë një fitore në takimin me Kukësin dhe ia arritëm qëllimit. Për mua nuk ka takime dhe ekipe të lehta. Vlerësimi për ta është i njëllojtë. Takimi me Luftëtarin është në tjetër sfidë e vështirë. Luftëtari, edhe pse është një skuadër në gjendje jo të mirë këtë sezon, luan për jetë a vdekje. Kjo gjë duhet të na motivojë më tepër dhe të na japë shpresa që të marrim maksimumin edhe në këtë takim”.
Tafili – Lojtari në prononcimin e tij deklaroi: “Ishte një kënaqësi e madhe për mua kur mora vlerësime për lojën e zhvilluar në takimin me Kukësin. Nuk dua të tregohem egoist në këtë aspekt, por natyrisht kur arrihet fitorja edhe vlerësimi është një sadisfaksion më vete. Për mua vlerësimet më të madhe në këtë gjendje timen i shkojnë teknikut Artan Bushati. Ka qenë ky trajner, i cili ka besuar tek unë dhe më ka nxitur që të bëj më të mirën. Edhe pse jam aktivizuar në fazën e parë, nuk më është dhënë ky besim që ka shprehur tekniku Bushati. Unë mendoj se nuk ka shumë vend për t’u vetkënaqur, pasi diferencat janë të vogla mes skuadrave. Por, në krahun tjetër jam optimist se me frymën që egziton në ekipin tonë, mund të marrim një rezultat edhe në takimin e radhës. Jemi në rrugën e duhur”, ka deklaruar mesfushori Alsid Tafili. Të dy lojtarët bënë një paraqitje shumë të mirë në fitoren e së shtunës ndaj Kukësit dhe tekniku Bushati i konsideron si pjesë të rëndësishme të ekipit që drejton. Këtë javë, kuqeblutë i pret një transfertë e vështirë në Gjirokastër.
Admir URUÇI