Ditën e djeshme, pjesa VIP e Brazilit u mbush me legjenda të mëdha të futbollit që lanë gjurmë në kombëtaren dhe katërshja e përbërë nga Ronaldo, Roberto Carlos, Kaka dhe Cafu u solli lumturi “kariokëve”.

Brazili mundi 1:0 Zvicrën për të kaluar në 1/8 e Kupës së Botës, një xhiro të cilën tashmë do të mund ta presë në qetësi pavarësisht rezultatit të xhiros së fundit të fazës së grupeve.

Kamerat televizive kapën në mënyrë specifike reagimin e katër legjendave pas golit fantastik të Casemiro që fitoi dhe tri pikët, por publiku anglez veçoi një deklaratë të bërë nga Cafu lidhur me mbrojtësin që është një nga më të mirët dhe që nuk luan në Kupën e Botës në Katar.

– Për mua, Arnold mund të jetë mbrojtësi i djathtë më i mirë, nuk e di pse nuk luan. Ai ka gjithçka që duhet të ketë një mbrojtës i djathtë. Cilësi, driblim, shpejtësi. Fatkeqësisht, është gjithmonë e njëjta histori, thonë se nuk je mjaftueshëm i mirë në mbrojtje dhe të lënë jashtë ekipit. Dikush donte të sajonte të njëjtat histori për mua dhe Carlos, por ne fituam shumë gjëra.

– Duke folur në përgjithësi për mbrojtësit, më duhet të them se ata duken mjaft robotikë këto ditë. Ata thjesht marrin topin, pasojnë dhe vrapojnë pa kokë. Nuk ka lëvizje pa top dhe nuk shoh pasime të dyfishta nga ana e tyre, – u ankua Cafu.