“Ndryshim kursi” për Tërbunin. Skuadra pukjane rikthehet t’i zhvillojë stërvitjet në Shkodër sërish pas disa vitesh. Ka ndodhur kështu pas akordit të arritur nga trajneri Kreshnik Krepi me kryebashkiakun Gjon Gjonaj. Tërbuni prej disa sezonesh është grumbulluar dhe stërvitur në Tiranë, ndonëse atje kostoja financiare ka qenë më e madhe.

Sivjet do të jetë ndryshe. Dy drejtuesit e tij kanë rënë dakord që stërvitjet të zhvillohen në kryeqendrën e Veriut. Trajneri Krepi që do të drejtojë këtë skuadër edhe këtë sezon, ka “piketuar” fushën sportive të Shtojit për stërvitjen e saj. Në këtë fushë deri para dy vitesh ka zhvilluar stërvitjet e saj ekipi i Vllaznisë. Spostimi i vendit të stërvitjes për në Shkodër do të thotë se edhe baza e ekipit të Tërbunit për sezonin e ri do të jetë kryesisht e përbërë me shkodranë por do të ketë edhe të huaj apo nga rrethe të tjera të vendit. Objektivi i tij duket se do të jetë për të qenë në mes ekipeve më të mira të cilat do të luftojnë për ngjitjen në Superligë.

© shkodrasport.com