Nga Endri ÇINARI

Ka qenë ndoshta zbulimi i këtyre eleminatoreve për kombëtaren shqiptare dhe pikërisht para ndeshjeve të kuqezinjëve vjen në një super formë. Fjala është për Mario Mitajn, i cili tashmë nga java në javë po shndërrohet në protagonist edhe me ekipin e Lokomotivës së Moskës.

20-vjeçari ishte titullar në fitoren e fundit të kryeqytetasve kundër Akhmat. Ekipi i shkodranit triumfoi me shifrat 2-1, një sukses i rëndësishëm që e ngjit në tabelë. Mitaj e nisi ndeshjen si titullar dhe nuk u zëvendësua për asnjë minutë, duke qenë kështu në fund të 90 minutave mes më të mirëve të ndeshjes.

Pavarësisht se në ndeshjet e fundit, mëngjërashi është aktivizuar si mesfushor qëndror, ai ka ditur ta bëjë mjaft mirë. Duke merituar edhe notën 7.4 në duelin ndaj Akhmat. Mitaj, po tregon se përveç rolit të mbrojtësit të majtë di të mbulojë edhe role të tjera në fushën e lojës.

Një lojtar që tashmë është i fituar dhe një garanci për shumë vite në kombëtaren shqiptare. Dhe që me patjetër në sesionet e ardhshme të merkatove do e shohim në një ekip më të fortë.