Vendimi I Armando Brojës për të qëndruar te Vitese apo për të provuar fatin e tij duke u kthyer te Çelsi, mund të vendoset nga Romelu Lukaku. Sipas medieve angleze, sulmuesi është drejt një kthimi të bujshëm në radhët e skuadrës londineze, e cila zotëron kartonin e Brojës dhe e ka dhënë huazim në Holandë.
“Telegraph” raporton se Çelsi ka si objektiv të parë të merkatos Erling Haland, por meqë po krijohet bindja se nuk do të arrijë të sigurojë norvegjezin, ka filluar që tani të interesohet për alternativën e parë, Romelu Lukakun, pasi kërkon një sulmues me peshë që mund të garantojë një numër të madh golash.
Dështimi me Timo Verner ka bërë që të kërkohet një qendërsulmues tjetër dhe lojtari po bëhet gati të kthehet në klubin ku u transferua si 18-vjeçar, por nuk arriti të bindte asnjë trajner derisa e larguan përfundimisht në vitin 2014.
Me afrimin e Lukakut, çdo shans i Brojës për hapësira te Çelsi do të zhdukej, duke llogaritur edhe numrin e madh të sulmuesve që kanë blutë në dispozicion. Kështu, praktikisht një lëvizje e tillë në merkato do të bënte të pamundur kthimin tij në Angli, të paktën në verën e këtij viti, duke zgjatur eksperiencën e sulmuesit në radhët e klubit holandez. /vipsport/