Veleçiku ka marrë një fitore me shumë vlerë që në javën e parë ndaj Murlanit, duke e nisur me sukses sezonin e ri në Kategorinë e Dytë. Në ndeshjen e luajtur pasditën e sotme në fushën sportive “Vëllezërit Duli” të Veleçikut, koplikasit kanë fituar me rezultatin 2-1.

Sfida ka qenë shumë e fortë dhe të dy ekipet kanë tentuar t’i marrin fitoren njëri-tjetrit. Megjithatë, të parët kanë kaluar në avantazh vendasit nga Kopliku, të cilët kanë shënuar me anë të futbollistit të përhershëm, Arsen Banushaj, në minutën e 19-të, teksa goditja e tij ka mposhtur portierin e Murlanit, Çaku, duke përfunduar në rrjetë.

Pas pak minutash, Veleçiku ka shënuar edhe një gol tjetër, këtë herë me autor Shekajn, në minutën e 31-të. Murlani u mundua të futej në lojë falë golit të shënuar nga mesfushori Aris Djepaxhia në fundin e pjesës së parë, më konkretisht në minutën e 40-të. Me rezultatin 2-1, do të mbyllej pjesa e parë.

Më pas, në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të miqve, ata nuk ia kanë dalë dot të shënojnë golin e barazimit. Në këtë mënyrë, gjithçka u mbyll me fitoren 2-1 të Veleçikut, që me këtë fitore merr trepikëshin e parë në këtë kampionat të saponisur.

Realisht, në Koplik besojnë se sivjet do të rikthehen sërish në Kategorinë e Parë nën drejtimin e trajnerit Dritan Smajli. Krejt ndryshe ndodh me Murlanin, i cili nuk është se ka një objektiv të deklaruar për t’u ngjitur, por do të luftojë fort që ta mbyllë këtë kampionat në vendet e para. /Maringlen ZHIVANI/


Veleçiku-Murlani 2-1

Golat: Banushaj 19’, Shekaj 31’ / Djepaxhia 40’

Veleçiku (4-4-2): Kaçaj, Rrustemaj (Alçani 65’), Balaj, Çokaj, Banushaj, Elbasani, Shekaj (Mehmetaj 88’), Marku, Hajdari (Kaçeli 88’), Hasaj,
Dibra (Bardulla 76’) (në dispozicion: Lopçi, Zefi, Çomo, Al. Kaçaj, Am. Kaçaj, Pjetri, Rragami) Tr: Dritan Smajli

Murlani (4-4-2): Çaku, Temja, Hila, Lani, Ramja, Keshtejaku, Djepaxhia, Lekaj, Brahimi (Cubi 76’), Santoro, Oliveira (Toskaj 62’) (në dispozicion: Tafa, Nuhi, Shpuza, Markaj, Kodra, Guri, Pepaj) Tr: Vahedin Pepaj

Kartonë të verdhë: Mehmetaj 90’ / Hila 65’