Kristiano Ronaldo është i dëshpëruar për t’u larguar nga Mançester Junajtid dhe do që e ardhmja e tij të zgjidhet përpara ndeshjes hapëse të Mançester Junajtidit në Premier Ligë këtë fundjavë. Ylli portugez dëshiron të largohet nga klubi këtë verë në kërkim të një skuadre që luan në Ligën e Kampionëve dhe menaxheri i tij Zhorzh Mendesh po punon intensivisht për të gjetur një klub të ri për klientin e tij.
Sulmuesi 37-vjeçar ende ushqen shpresat për të fituar Champions-in e gjashtë në karrierë. CR7 do të vijojë të stërvitet normalisht me skuadrën, ndërsa dje u fotografua duke hyrë në qendrën stërvitore “Carrington” me Bentlin e tij.
NË LIMITE KOHE – Sipas gazetës spanjolle “AS”, futbollisti është i vendosur të gjejë një klub të ri përpara se Mançester Junajtid të luajë ndeshjen hapëse të sezonit kundër Brajtonit të dielën. Por atij po i mbaron koha dhe sulmuesi mund të përfundojë duke e nisur sezonin e ri në “Old Trafford”.
Ronaldo u rikthye në stërvitje me Mançester Junajtidin vetëm gjatë fillimit të javës së shkuar dhe të dielën luajti në miqësoren kundër ekipit spanjoll, Rajo Vajekano.
Portugezi u aktivizua për 45 minuta dhe e la stadiumin përpara se të përfundonte ndeshja. Paraqitja e tij në miqësoren e fundit të fazës përgatitore të “Djajve” rrit mundësinë që Ronaldo të hidhet në fushë menjëherë titullar kundër Brajtonit këtë javë. Por trajneri Erik ten Hag frenoi disi dhe tha pas ndeshjes së tij të parë se ai nuk është ende gati fizikisht.
Kristiano mungoi në turin e skuadrës në Tajlandë dhe Australi, i cili zgjati për 17 ditë dhe iu bashkua skuadrës në stërvitje vetëm në fillim të javës së shkuar.
“Situata është njëlloj si më parë. Ne planifikojmë të luajmë me të, ai është në skuadër. Por unë nuk mund t’iu them se sa gati ai është fizikisht për Premier Ligën. Ai nuk është padyshim në nivelin e lojtarëve të tjerë të skuadrës në këtë moment, sepse ka humbur shumë javë. Ai ka nevojë për ndeshje dhe shumë stërvitje përpara se të jetë gati”, tha tekniku holandez pas ndeshjes me Vajekanon.