Paul Pogba ka vendosur të mos i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e tij të djathtë. Pas konsultimit në Lion, francezi dhe klubi i Juventusit zgjodhën terapinë konservatore. Në këtë mënyrë, mesfushori do të duhet të qëndronte jashtë për pesë javë.

Pogba mund të kthehet në dispozicion të Allegrit për ndeshjen Juventus-Salernitana ose Monza-Juventus, të planifikuar rreth mesit të shtatorit. Sipas programit të rikuperimit, gjatë tri javëve të para duhet të bëhen ushtrime rehabilituese në palestër pishinë dhe fizioterapi, ndërsa dy javët në vijim stërvitje individuale të personalizuara.

Ish-mesfushori i Mançester United, i cili u rikthye tek Juvja këtë verë pas 6 sezonesh me “Djajtë e Kuq”, u ndal pak ditë pas zhvendosjes së skuadrës në Shtetet e Bashkuara. Gjatë stërvitjes, Pogba ndjeu një kërcitje në gjurin e tij të djathtë dhe testet e kryera në Kaliforni zbuluan dëmtimin e meniskut anësor.

Weston McKennie gjithashtu u detyrua të ndalet për shkak të dëmtimit në shpatullën e majtë (dëmtim kapsulor). Ai nuk do të kthehet në dispozicion të Allegrit për një muaj, duke humbur të paktën katër ndeshjet e para të Serisë A: kundër Sassuolos, Sampdorias, Romës dhe Spezias dhe ndoshta edhe atë me Fiorentinën, më 3 shtator, në Firence.