Shumë dilema për t’u zgjidhur te Vllaznia në prag të rikthimit të skuadrës në fushë. Trajneri Mirel Josa ka planifikuar që ekipi të nisë përgatitjet më 15 qershor, duke qenë se në ndryshim nga klubet e tjera që marrin pjesë në Conference League, shkodranët do të jenë në turin e dytë dhe ndeshjen e parë e luajnë më 21 korrik.

Klubi ka kohën e nevojshme për të zgjidhur së pari çështjen e kontratave me disa prej titullarëve. Nëse me portierin Zogoviç, Jonuzin dhe Da Silvën, gjërat janë në rrugë të mbarë dhe është arritur marrëveshja në parim për të rinovuar edhe një sezon kontratën, e kundërta mund të thuhet për futbollistët e tjerë.

“Shkodra Sport” mëson se në orët në vijim, drejtuesit do të ulen edhe me mbrojtësin Mevlan Adili, për të vendosur përfundimisht të ardhmen. Klubi i ka ofruar kontratë të re mbrojtësit, por ai është i dyzuar për të firmosur, pasi njëkohësisht ka disa opsione, qoftë brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

Nga ana tjetër, nuk ka garanci edhe për Esin Hakajn, edhe pse në Conference League ka vendosur të luajë me kuqeblutë, deri në momentin kur ekipi të eliminohet. Në fund kontrate është edhe Darko Bulatoviç, por ashtu si Hakaj, ka një akord me klubin për të qenë edhe në Europë.
Maringlen ZHIVANI