Te Kastrioti gjërat pritet që të marrin “udhë” këtë javë, nga ku edhe pritet që t’i hapet rruga nisjes së punës për sezonin e ri futbollistik 2022-2023. Normalisht, kjo do të jetë në varësi të dakordësisë që mund të prodhojë takimi mes presidentit Alban Vogli dhe trajnerit që mbylli sezonin, Emiljano Çela.

“Panorama Sport” mëson se të dy do të takohen dhe pritet që të vendosin pikat mbi “i” sa i takon sezonit të ri, me Kastriotin që parashikohet të zbresë në fushë më 20 qershor. Një nga kushtet e bëra publike nga trajneri Çela që në fundin e sezonit, ka qenë ruajtja e grupit aktual, por mbetet të shihet se si do të ndërtohet skuadra, në një kohë që firot janë të pashmangshme.

Megjithatë, krahas kushtit të lartpërmendur, do të ketë edhe shumë pika të tjera që kërkojnë dakordësi mes palëve, në mënyrë që Çela dhe stafi i tij të vijojnë punën. Aktualisht, krutanët nuk kanë asnjë firo zyrtare dhe janë në bisedime për të rinovuar edhe me ata lojtarë që u ka përfunduar kontrata. Nga ana tjetër, pritet që të bëhen edhe disa afrime të goditura për të plotësuar boshllëqet që mund të lërë ndonjë largim i mundshëm.

Për momentin situata më delikate është me dy titullarë, pikërisht Bedri Grecën dhe Armando Ramin, të cilëve u ka skaduar kontrata. Mbetet për t’u parë nëse ata do të pranojnë ofertën e klubit të Kastriotit për të firmosur një kontratë re, në një kohë që edhe mund të largohen. Ai që ndoshta duket më larg krutanëve në këtë moment është sulmuesi Greca.